Rrëfimi i kësaj serie kujtimesh rreth vdekjes së Hysni Kapos, i shtruar në një spital parizien prej nga nuk u kthye më gjallë në Shqipëri, është bazuar në pohimet e dy dëshmitarëve: Nexhip Pajaj dhe Eqerem Sinani.
Këto pohime janë gjithashtu të regjistruara dhe i posedoj në formë audio. Është fjala për një ngjarje mbi të cilën ka pasur dyshime të arsyeshme nëse ishte një vdekje natyrale, apo një vdekje e ndikuar nga faktorë të jashtëm.
Këto dyshime kanë lindur qysh në momentet e fluturimit të Hysni Kapos për herë të dytë me avion special privat për në spitalin e Parisit, në vitin 1979. Rrëfimet e Nexhipit dhe Eqeremit, janë bazuar në vetë shënimet e tyre në një fletore, e cila pas vdekjes së Kapos dhe sjelljes së arkivolit me trupin e Kapos në Tiranë, iu dorëzua Enver Hoxhës.
Konkretisht, afro 36 faqe të “Fletores” mbanin në fund tre nënshkrime, atë të përgjegjësit të grupit të shoqërimit të tij, Nexhip Pajaj (Xhipja), atë të shoqëruesit të dytë Eqerem Sinani dhe atë të mjekut të tij, Dine Abazi.
Këta dy të fundit jetojnë dhe janë dëshmitarë okularë, ndërsa Xhipja i ndjerë ka vdekur vite më parë. Bashkëshortja e tij, Selimeja, ishte tezja ime (Nëna ime dhe Selimeja ishin motra). “Fletoren e Zezë” e shkroi Xhipja, dhe unë e kam lexuar.
Por sa u hodhën mbi të ishin mendime, gjykime, vlerësime të të treve, Nexhipit, Eqeremit dhe Dines. Në këtë seri shënimesh bazuar në atë fletore dhe në ritregimin e dëshimtarëve, bien në sy dyshime të forta rreth natyrës së vdekjes së Hysni Kapos.
Spikat roli tejet aktiv dhe po kaq misterioz i mjekut Sali Berisha, si dhe i Ramiz Alisë, sekretar i Komitetit Qëndror të PPSH.
Av. Idajet Beqiri
Hysni Kapo, kur mori vesh se do të hynte për herë të dytë në operacion, ka kërkuar dhe ka zhvilluar një bisedë vetëm me Vito Kapon dhe përgjegjësin e grupit të shoqërimit Nexhip Paja. U ka thënë atyre se do bënte gjithçka që të mos i nënshtrohej ndërhyrjes së dytë kirurgjikale. Donte që gjithçka që duhej bërë për të, të realizohej në Klinikën e Udhëheqjes në Tiranë.
Vito Kapo në linjën e saj me mjekët dhe Nexhipi, në linjën e tij të Sigurimit, përmes Servet Backës, kanë përcjellë që Hysniu të kthehej sa më parë në Tiranë. Madje Vito debatoi ashpër me Ramiz Alinë, të cilit i ka thënë se po qe se do të vdesë, le të vdesë në vendin e tij. Vito Kapo debatoi ashpër gjithashtu edhe me Doktor Pol Miliezin, të cilin e bindi që operacioni i dytë të mos bëhej. Madje Miliezi ishte dakord edhe që ta kthenin në Tiranë menjëherë Hysni Kapon, duke shprehur gatishmërinë që edhe avionin ta vinte në dispozicion.
Mirëpo ai që merrte vendimet dhe vendoste për gjithçka, ishte Llambi Ziçishti, sepse jo vetëm që ishte ministër i Shëndetësisë, por mbante lidhje të vazhdueshme me Tiranën, duke raportuar për gjithçka. Kështu që nuk u pyet as Pol Miliezi për mosdakordësinë e tij për të realizuar ndërhyrjen e dytë kirurgjikale mbi Hysni Kapon.
Operacioni u vendos të bëhej.
Sipas shënimeve të Nexhipit, Vito Kapo ishte në dhomë me Ramiz Alinë, ngjitur me dhomën ku ndodhej i shtruar Hysni Kapo kur hyn në dhomën e tyre doktor Petrit Gaçe dhe me një ulërimë tronditëse u jep lajmin e vdekjes së Hysni Kapos.
Vito Kapo, e tronditur sa më nuk ka, iu “përvesh” Ramiz Alisë me një fjalor tejet të ashpër. E bëri fajtor atë për vdekjen e Hysniut. Mjekëve francezë, Miliezit, Profesor Aleksandrit dhe Gurgonit iu tha se ishte vajzë mjeku, rritur në ambient mjeku me emër, pasi babai i saj ishte një ndër doktorët me emër në Amerikë, dhe se ishte pronari dhe administratori i spitalit më me emër në Janinë të Greqisë. Dhe konstatova, u tha ajo këtyre mjekëve dhe Ramiz Alisë, se Hysniu nuk vdiq, por e vdiqët ju.
***
Hysni Kapon e çuan në morg, në katin e 10 të nëndheshëm. Fillimisht u përgatit një ceremoni mortore në spital ku bënë homazhe personeli mjekësor, punonjësit e ambasadës sonë në Paris si dhe shqiptarë që ndodheshin në pozicione të ndryshme aty.
Eqerem Sinani bënte xhirime me kamerën që përdorte për evenimentet e ndryshme të familjes Kapo si dhe përdorte njëkohësisht aparatin fotografik.
Duke xhiruar ata që bënin homazhe, vërejti që doktor Mentor Petrela i fshihej kamerës. Nuk donte të filmohej, ndryshe nga Sali Berisha, i cili ndryshonte vendqëndrimin vetëm e vetëm që ta fokusonte kamera.
Eqerem Sinani i afrohet doktor Mentor Petrelës dhe i thotë te veshi: “Profesor, rri pa merak para kamerës sepse nuk ka më film, unë bëj sikur filmoj…”! Mentor Petrela u bë flakë i kuq në fytyrë.
Pasi ra sistemi komunist dhe Berisha ishte zgjedhur President i Republikës, një natë, aty nga ora 22.00, bie zile e telefonit të shtëpisë së Eqerem Sinanit. Nuk e njohu personin që i fliste. Ai që i telefonoi i tha që të paraqitej të nesërmen në orën 9.00 në Ministrinë e Brendshme sepse e kërkonte ministri. Eqeremi u shqetësua. Nuk kaluan as 30 minuta dhe zilja e telefonit ra përsëri. Ishte i njëjti zë. U prezantua. Ishte profesor Mentor Petrela. I foli duke qeshur. E kërkoi të pinin një kafe.
Të nesërmen Eqerem Sinani shkoi te profesor Petrela. Kanë kaluar shumë kohë, i tha, por dua të pyes si e konstatove që unë po i fshihesha kamerës, dhe vërtetë nuk kishe film?! Eqerem Sinani pyetjes ju përgjigj me pyetje:
-Në fakt, pse fshiheshit nga kamera ju, profesor Petrela…?!
***
Hysni Kapo qëndroi në morg pak ditë. Atë ditë që u vendos arkivoli në morg, vjen urgjent në spital Micheli, shefi i sigurimit francez dhe kërkon takim urgjent me Nexhip Pajën dhe Eqerem Sinanin. Micheli u miqësua me dy shoqëruesit e Hysni Kapos, miqësi e cila ka mbetur deri më sot.
Micheli u transmetoi një informacion shqetësues. Një informator kishte raportuar se UDB kishte nxitur një grup kriminal drejt rrëmbimit të trupit të Hysni Kapos.
– Do t’ju kërkohet të paguani qimet e kokës për ta marrë, – u tha Micheli.
Merrni disa roje shtesë – u tha Micheli, i paguani mirë që të ruajnë në morg, nën mbikëqyrjen tuaj të kujdesshme. Ai i këshilloi që rojet të mos ishin francezë. Kështu edhe u bë, – sipas shënimeve të Fletores së Zezë.
Kur u kthyen në Tiranë, Nexhip Paja origjinalin e “fletores” ia dërgoi Enver Hoxhës, ndërsa një kopje e dërgoi në Ministrinë e Brendshme. Brenda saj kishte akuza konkrete, detaje, vëzhgime dhe raportime të cilat i çonin truprojat në konkluzionin kategorik se Hysni Kapo u eliminua. Sapo kjo “fletore e zezë” mbërriti në Ministrinë e Brendshme, Kadri Hazbiu, në praninë e sekretarit të Komitetit të Partisë të kësaj ministrie, Bato Karafilit, dhe të zëvendës drejtorit të drejtorisë së dytë në këtë ministri, Servet Backa, thirrën në zyrën e ministrit Nexhip Pajën dhe Eqerem Sinanin. Bashkë me ta shkoi dhe Dine Abazi. Sapo kjo treshe hyri në zyrën e Kadri Hazbiut, ky kërkoi daljen jashtë të Dine Abazit:
“Bashkë e kemi bërë këtë letër”, – i tha Dine Abazi.
“Dil jashtë ti, nuk ke punë këtu, do merret Ministria e Shëndetësisë me ty”, – i thanë.
Kadri Hazbiu e fajësoi rëndë Nexhip Pajën, e konsideroi atë çfarë ai kishte shkruar tepër të rëndë dhe e kërcënoi me përjashtim nga Partia, nëse nuk e tërhiqte. Nexhipi, besnik me shpirt, deri në vdekje ndaj Hysni Kapos, në kulmin e dëshpërimit siç ishte, mbasi i thotë Kadri Hazbiut se origjinali i kësaj fletoreje i ishte dërguar Enver Hoxhës, nxori nga xhepi teserën e Partisë dhe e hodhi mbi tavolinë…
– Me çfarë më kanë parë sytë dhe me çfarë më kanë dëgjuar veshët në Paris, – u tha Nexhipi, – kjo teserë partie nuk ka më vend tek mua.
Situata u acarua shumë. Plot një javë të tërë Nexhip Paja dhe Eqerem Sinani janë mbajtur të izoluar në Ministrinë e Brendshme. Nga aty, ku ishin të izoluar, gjetën mundësinë prej kolegëve të tyre të lidheshin me Vito Kapon. I sqaruan krejt situatën. Ajo kishte folur drejtpërdrejt me Enver Hoxhën. Të dy badigardët e Hysni Kapos u lanë të lirë. Me këtë rast u bë “kokë turku” Bato Karafili.
Enver Hoxha, pasi bëri më parë një takim me të gjithë personelin mjekësor që shërbeu pranë Hysni Kapos në Paris, ku i falënderoi për përkushtimin, thirri Vito Kapon dhe e kritikoi ashpër për dyshimet që kishte shfaqur ndaj vdekjes së Hysni Kapos.
Nexhip Paja u nxor menjëherë në pension. Ndërsa Eqeremi vazhdoi të qëndronte edhe pak kohë pranë familjes së Hysni Kapos, për të kaluar më pas në grupin e shoqërimit të Foto Çamit.
Pas kritikave të ashpra që Enver Hoxha i bëri Vitos, një ditë Eqerem Sinanin e njoftuan të mblidhte gjithë familjen Kapo, Viton, fëmijët dhe t’i çonte në Vilën e Udhëheqjes në Pallatin e Brigadave, pasi i priste Enver Hoxha. Shkuan. Enveri pasi i ngushëlloi një e nga një, madje me fjalë të zgjedhura edhe Eqeremin, i thotë Vitos që Partia kishte vendosur që ajo dhe e gjithë familja të jetonin për pak kohë në këtë vilë…
Tashmë kishin vdekur ose ishin pushkatuar Gogo Nushi, Beqir Balluku, Petrit Dume, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi etj. Iku edhe njëri nga dy të superfuqishmit kryesorë të Enver Hoxhës, krahu i djathtë i tij, Hysni Kapo. Radha i kishte ardhur ish kryeministrit Mehmet Shehu. Dhe kështu rruga për Ramiz Alinë dhe më pas për Sali Berishën, ishte “pastruar” mirë dhe ishte hapur plotësisht…

No comments:
Post a Comment