Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i shoqërua nga një ekip i gjerë, krahas takimeve me zyrtarë amerikanë, ka shkuar në SHBA për të mbyllur kontratën e nënshkruar para disa ditëve me kompaninë amerikane që “rregullon” imazhin me qeverinë amerikane.
Kontrata
Sipas ekstraktit të publikuar, Partia Demokratike e Shqipërisë punësoi “Podesta Group” në Uashington për të lobuar pranë qeverisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara për llogari të saj. Lajmi bëhet i ditur nga dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së nën Aktin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj. “Podesta do të këshillojë Partinë mbi politika relevante dhe aktiviteteve të Kongresit, do të kërkojë dhe analizojë çështje të caktuara dhe do të mund të organizojë takime me zyrtarë të degës ekzekutive të SHBA-së, anëtarë të Kongresit, media dhe organizata jofitimprurëse”, thuhet në ekstraktin e publikuar. Kontrata është nënshkruar 8 mars 2016, ndërsa kohëzgjatja dhe kostoja e kontratës për Partinë Demokratike pritet të publikohet më vonë. Vetëm pak ditë pas nënshkrimit të kontratës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është nisur për një vizitë zyrtare në SHBA.
Kush është Podesta?
Podesta, është një kompani lobuese në SHBA e drejtuar nga Anthony T. Podesta. Kjo kompani, nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë. Qeveria e Partisë Demokratike e punësoi atë në vitin 2011 deri në vitin 2013, me një tarifë prej 60 mijë dollarësh në muaj, të cilat u paguan me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Zyrtarisht, “Podesta” duhej të lobonte për përmirësimin e marrëdhënieve politike mes qeverive të të dy vendeve. Më herët “Podesta” pati lobuar në disa faqe konservatore amerikane për të bërë shkrime negative kundër Edi Ramës, në atë kohë, kreu i së majtës ishte në opozitë. Partitë politike shqiptare janë përpjekur në të shkuarën të ndikojnë mbi qëndrimet e qeverisë amerikane ndaj tyre duke paguar lobues të kushtueshëm, veçanërisht gjatë periudhave të krizave të ndryshme politike ose gjatë periudhave zgjedhore.
Lobimi
Në qëndrimin e tij pesëditor, Basha ka zgjedhur të shoqërohet nga një delegacion i përbërë nga disa deputetë të grupit të tij parlamentar dhe këshilltari i tij i ri për Politikën e Jashtme, Mal Berisha. Në krah të kreut të opozitës në takimet që do të zhvillojë në SHBA do të jenë edhe deputetët Eduard Selami, Jorida Tabaku, Gent Strazimiri dhe aleati i PD-së, kreu u PR-së, Fatmir Mediu. Sipas burimeve brenda Partisë Demokratike, përzgjedhja e këtij delegacioni është parë si e duhura nga kryetari i opozitës në varësi edhe të takimeve të planifikuara në SHBA.
Pjesë e ekipit është edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Londër, Mal Berisha, i cili, pas lënies së detyrës, ka marrë funksionin e këshilltarit për Politikën e Jashtme të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. Në këtë delegacion, Basha ka përfshirë edhe një nga deputetët kritikë në mbledhjet e Grupit Parlamentar, Eduard Selami. Përzgjedhja e ishkryetarit të PDsë, Selami, është bërë edhe për shkak të njohjeve që ky i fundit ka në SHBA për shkak të një qëndrimi shumëvjeçar atje. Në fund të këtij turi, Basha pritet të zhvillojë edhe një intervistë në “Zërin e Amerikës” në lidhje me zhvillimet politike në vend.
Basha tërhiqet nga zgjedhjet e parakohshme
Kryetari i Partisë Demokratike ka takuar dje në SHBA kongresmenë dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut. Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, si zbatimi i reformës së dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi janë në qendër të axhendës së kreut të opozitës Lulzim Basha. Në këtë takim të konceptuar si seancë degjimore, kreu i opozitës iu përgjigj interesit të Zv/Presidentëve të Këshillit të Atlantikut, Damon Uilson dhe Fran Buruell, anëtarëve të bordit Ian Berzinski dhe Frank Kramer mbi situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri dhe rajon. E në veçanti mbi ecurinë e procesit të dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në NATO, çështje të sigurisë, luftës kundër terrorizmit.
Kryetari i Partisë Demokratike e ka konsideruar të paprecedent për një vend demokratik dhe aq më tepër një vend anëtare të NATO-s që në Parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, të dënuar për trafik të qenieve njerëzore, trafik droge, plagosje me dashje, siç ka ndodhur në Shqipëri me bekimin e kryeministrit. Po ashtu kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u prit në Kongresin Amerikan nga Bashkëkryetari i Komitetit për Europën Eliot Engel, Gregory Mëks, anëtar i Komitetit për Punët e Jashtme dhe Gus Billiraki, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Në takimet që zhvilloi në Uashington me drejtuesit e lartë të Këshillit të Atlantikut, Basha nuk ka folur në asnjë moment për kërkesën e përsëritur të demokratëve: atë të zgjedhjeve të parakohshme. Përmes zbardhjes së takimeve që ka bërë zyra e shtypit të PD-së, thuhet se Basha e konsideroi të paprecedentë për një vend demokratik që në Parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, duke mos kërkuar zgjedhje të parakohshme.
No comments:
Post a Comment