Nga Beqir Meta/akademik
Çështja shqiptare në Konferencën e Paqes është një studim i thelluar monografik. Monografia që botohet sot është një projekt i nisur shumë kohë më parë nga studiuesi i apasionuar e tepër skrupuloz, prof. Muin Çami. Pas shumë vitesh pune voluminoze, në fund të viteve 80-të, ai kishte arritur të përfundonte pjesën kryesore të studimit. Ai kishte kryer një volum të madh pune, kishte hulumtuar në mënyrë shteruese dokumentacionin arkivor e bibliografik, që mund të sigurohej asokohe brenda e jashtë Shqipërisë dhe kishte hartuar një pjesë të madhe të monografisë. Ndryshimet në sistemin politik të vendit pas vitit 1990 e shtynë afatin e përfundimit të projektit, pasi tashmë profesori me të drejtë e pa të nevojshme ta rishikonte punën e bërë.
Ndërkohë që përpunonte e botonte artikuj me tematikën e problemeve të lidhura me historinë e viteve 1919-1920, ai rikonceptoi disa pjesë të monografisë, por mosha nuk e lejoi ta përfundonte. Në vitin 2011, profesori i kërkoi mikut dhe bashkëpunëtorit të tij Prof Dr. Marenglen Verlit që ta përfundonte studimin dhe ta përgatiste për botim. Këtë detyrë Prof Verli e kreu dhe tani ka paraqitur për botim këtë vepër.
Monografia sjell një trajtesë të gjerë të shumë problemeve historike të kësaj teme dhe periudhe. Qëndrimet e delegatëve të ndryshëm shqiptarë në Paris, qëndrimet e qeverisë së Durrësit, luhatjet dhe kundërshtitë e politikës së Fuqive të Mëdha në trajtimin e çështjes shqiptare, gjatë përpjekjeve për gjetjen e konsensusit midis Italisë, Mbretërisë së porsakrijuar Serbe-Kroate-Sllovene (Jugosllavisë) dhe Greqisë, dilemat midis vetë të Mëdhenjve gjatë rikonfigurimit të qëndrimeve të tyre, roli i delegacionit amerikan me në krye presidentin Willson etj., të gjitha këto probleme për të cilat në historiografi ka pasur konceptime e vlerësime të ndryshme gjejnë trajtimin me një shkallë të pëlqyeshme autenticiteti në këtë monografi. Çështja shqiptare në Konferencën e Paqes gjatë viteve 1919-1920 mund të thuhet se, për herë të parë, trajtohet në një thellësi kaq të madhe dhe në të gjitha planet, mbi bazën e një materiali të vëllimshëm dhe shumë të gjerë dokumentar e bibliografik.
Për këtë arsye monografia sjell një kontribut të spikatur në raport me botime të tjera, që janë realizuar më parë nga studiues të njohur, si prof. Arben Puto, prof. Paskal Milo etj., të cilët këtë temë e kanë bërë objekt të pjesshëm në monografitë e tyre, përkatësisht të “Shqipëria politike në vitet 1912-1939”, Tiranë, 2009, dhe “Politika e jashtme e Shqipërisë”, Tiranë, 2013.
Një trajtesë e gjerë u bëhet kërkesave që përfaqësuesit shqiptarë në Paris i drejtuan Konferencës për rishikimin e padrejtësive të së kaluarës, me shpresë se mund të respektohej parimi i vetëvendosjes. Autorët shpjegojnë se këto shpresa mbështeteshin sidomos në pjesëmarrjen në Konferencë të përfaqësuesve amerikanë, me presidentin Willson në krye. Në këtë dokumentet të Delegacionit zyrtar Shqiptar, pavarësia e Shqipërisë quhej tashmë e fituar dhe e njohur ndërkombëtarisht me vendimet e vitit 1913 të Konferencës së Ambasadorëve. Vëmendja e delegacionit e përqendroi më shumë në kërkesën për ndreqjen e padrejtësive që i ishin bërë popullit shqiptar më parë lidhur me kufijtë, në fillim nga Kongresi i Berlinit më 1878 dhe veçanërisht nga Konferenca e Londrës më 1913.
Më tej pasqyrohet në një mënyrë interesante zhgënjimi i madh dhe tërheqja graduale e delegacionit shqiptar. Kur u pa se kërkesat shqiptare për zgjerimin e kufijve shtetërorë nuk gjetën asnjë përkrahje dhe se kishin nisur të shqyrtoheshin e madje të gjenin miratim pretendimet territoriale të vendeve fqinje ballkanike, delegacioni shqiptar i parashtroi më 7 Mars Konferencës së Paqes një propozim të ri. Ai kërkoi që çështja e Kosovës dhe e Çamërisë të zgjidhej sipas parimit të drejtë të vetëvendosjes së popujve, për të cilin ishte folur aq shumë gjatë luftës. Në këtë kuadër u kërkua vendosja e forcave ushtarake të SHBA-së në krahinat shqiptare të mbetura jashtë kufijve të 1913-ës, që do t’i administronin për një ose për dy vjet, sa të përgatiteshin kushtet për të organizuar atje një plebishit për caktimin e fatit të tyre të mëtejshëm. Nëse pranohej ky propozim, atëherë forcat e SHBA-së mund të shtriheshin përkohësisht, po për të përgatitur një plebishit, edhe në dy trevat e Shqipërisë së Jugut, mbi të cilat qeveria greke kishte paraqitur në Konferencën e Paqes pretendimet e saj aneksioniste.
Në këtë studim analizohet me hollësi edhe qëndrimi i SHBA-së ndaj çështjes shqiptare dhe kjo shihet në kuadrin e politikës së saj të përgjithshme. SHBA nuk ishin nënshkruese e traktateve të fshehta dhe ishin shprehur hapur se paqja do të vendosej jo mbi bazën e traktateve të tilla, por duke respektuar parime të drejta. Përveç kësaj, SHBA-ja formuloi atëherë edhe qëndrimin e vet për rregullimin e pasluftës, duke theksuar se “do të mbanin pozicionin e arbitrit dhe do të vepronin sipas traditës amerikane të drejtësisë dhe të zemërgjerësisë”. Presidenti amerikan W. Willson i përvijoi idetë e tij në 14 pikat e janarit 1918 që patën një jehonë të madhe dhe ngjallën shumë shpresa, sidomos te popujt e vegjël në Evropë, duke përfshirë edhe popullin shqiptar. Pika qendrore e programit të tij ishte goditja diplomacisë së fshehtë. Në Konferencën e Paqes të Parisit të vitit 1919 ai e zhvilloi aksionin e tij, duke denoncuar rreptë ekzemplarin më të përsosur të marrëveshjeve prapa kulisave, Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit 1915, që kishte si një ndër objektivat kryesore copëtimin e plotë të Shqipërisë. Autorët kanë sjellë argumente se Willsoni nuk e njihte mjaftueshëm problemin shqiptar, por në këtë çështje nisej nga parimi që kishte vënë si pikë të parë të programit të tij. Fillimisht nga mosnjohja e mirë e çështjeve ballkanike, Uashingtoni pranoi pikëpamjen e Londrës e të Parisit, sipas së cilës pavarësia e Shqipërisë dhe tërësia territoriale e shtetit shqiptar duhej të sakrifikoheshin për interesat e vendeve fqinje fituese të Luftës I Botërore, pavarësisht se Shqipëria kishte qëndruar mënjanë luftës dhe normalisht s’kishte pse të paguante për të.
Një vend themelor zë edhe qëndrimi i qeverisë greke. Në detaje dhe në mënyrë të thelluar pasqyrohen argumentet greke të cilat jepen në mënyrë kritike. Qeveria e Athinës kërkoi aneksimin e Korçës e të Gjirokastrës. Ky pretendim nuk mund të mbështetej mbi parimin e kombësisë, prandaj kryeministri grek doli para Konferencës me tezën e trilluar dhe tanimë të vjetruar, sipas së cilës shqiptarët e krishterë (ortodoksë), që përbënin gjysmën e banorëve të këtyre dy trevave, e ndjenin veten si grekë.
Me mprehtësi dhe në mënyrë krahasuese janë dhënë edhe diferencat midis politikës greke dhe asaj të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene kundrejt Shqipërisë. Përfaqësuesit e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene kërkesat territoriale kundrejt Shqipërisë në fillim nuk u paraqitën drejtpërdrejt. Delegacioni jugosllav u shpreh për pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës. Autorët shpjegojnë me saktësi se ky qëndrim diplomatik u përcaktua nga rivaliteti i ashpër italo-jugosllav në Adriatik e në Shqipëri. Qeveria e Beogradit dëshironte të kishte në kufijtë e saj jugperëndimorë më mirë një shtet të vogël shqiptar të pavarur, sesa një fqinj agresiv si Italia në truallin shqiptar, e cila nxiste destabilizimin dhe shpërbërjen e shtetit multinacional jugosllav. Nga ana tjetër, qeveria jugosllave mendonte ta vinte Shqipërinë nën ndikimin e vet politik nëpërmjet E. Toptanit, duke mbështetur ambiciet e tij për t’u vënë në krye të qeverisë e të shtetit shqiptar.
Autorët kanë argumentuar me kompetencë shkencore se ky qëndrim i dyzuar i Beogradit do të vijonte gjatë gjithë kohës së Konferencës së Paqes dhe kishte për synim të arrinte dy qëllime: a) ta veçonte konfliktin ndërmjet Romës e Beogradit për ndarjen e tokave të ish-Perandorisë Austro-Hungareze, për të cilat kishin pretendime të dyja palët, nga ai për ndarjen e Shqipërisë, sikurse ishte parashikuar në Traktatin e prillit 1915; b) ta vinte Jugosllavinë në të njëjtin rrafsh me Greqinë e sidomos me Italinë për ndarjen e shtetit shqiptar dhe të mos lejonte që ta përjashtonin nga kjo ndarje, siç po përpiqej diplomacia italiane. Kështu rivalitetit të mëparshëm austro-italian për Shqipërinë ia zuri vendin antagonizmi italo-jugosllav.
Një analizë e hollë, e mprehtë dhe e argumentuar i është bërë në studim diplomacisë së qeverisë italiane. Autorët kanë evidentuar premisën themelore se qeveria italiane synonte të siguronte në radhë të parë zotërimin e Vlorës, si pikë e rëndësishme gjeostrategjike në Adriatikun Jugor dhe të vendoste nën protektoratin italian “shtetin autonom shqiptar”, që parashikohej të krijohej në kufijtë e Shqipërisë së Mesme, “myslimane”. Taktikat e qeverisë italiane në Konferencë janë pasqyruar me korrektësi shkencore dhe në mënyrë interesante
Për të ardhmen e Shqipërisë kishte kontradikta jo vetëm ndërmjet tri vendeve fqinje rivale, por edhe ndër tri fuqitë kryesore të Konferencës. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nuk kishin të njëjtin qëndrim për të ardhmen politike e territoriale të shtetit shqiptar. Autorët e këtij studimi kanë pasqyruar në detaje këtë realitet dhe kanë argumentuar se diskutimet në Konferencë treguan se ndërmjet tyre kishte edhe përputhje, edhe kundërshti. Në studim argumentohet se justifikimi i përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha evropiane se njohja ndërkombëtare e Shqipërisë më 1913, si shtet i pavarur e sovran kishte qenë e parakohshme, ishte i pabazuar dhe në funksion të interesave të tyre strategjike në rajon. Përfshirja e Shqipërisë në sistemin e mandateve, të ngritur në mbarim të Luftës Botërore për vendet e popujt, që nuk e kishin fituar ende pavarësinë e tyre kombëtare dhe që do të kishin nevojë për tutelën e një fuqie “të qytetëruar”, që t’i printe drejt pavarësisë, argumentohet se nuk i përgjigjej realitetit të brendshëm shqiptar, por interesave të Fuqive të Mëdha dhe të klientëve të tyre ballkanike. Megjithëkëtë studimi përshkohet nga një frymë realizmi dhe objektiviteti të spikatur dhe në këtë drejtim ndryshon nga studime të mëparshme. Në të pranohen edhe vështirësitë e brendshme të kombit shqiptar për të ndërtuar shtetin e tyre dhe për të reaguar në bllok dhe unik ndaj rreziqeve të reja të cilat lidheshin edhe me pjekurinë politike të tij.
Një trajtim i plotë i bëhet diskutimeve në Konferencë dhe jashtë saj për vendosjen e protektoratit italian mbi Shqipërinë. Jepen me mprehtësi arsyet e këtij qëndrimi nga qeveritë e veçanta dhe bëhen dallimet që ekzistonin midis tyre dhe konceptit amerikan për mandatin. Arrihet në konkluzionin se vendimi i diplomacisë amerikane për t’i dhënë Italisë mandatin, natyrisht diktohej edhe nga synimi për të sheshuar kontradiktat italo-jugosllave, por edhe nga gjykimi i vështirësive të mëdha që do të ndeshnin shqiptarët për të ndërtuar të vetëm një shtet të pavarur në këtë fazë të parë të kombformimit. Por SHBA-të u kujdesën që mandati italian të mos shfrytëzohej për sundimin kolonial të Shqipërisë. Në këtë kontekst mendoj se duhet bërë edhe një sugjerim. Gjykoj se konkluzioni i autorëve se propozimi amerikan “u ndikua, me sa duket, edhe nga luhatjet dhe pavendosmëria e delegacionit shqiptar në Paris” nuk është shumë i argumentuar.
Një risi e studimit është se jepen detaje të hollësishme dhe të rëndësishme të mandatit italian që tri Fuqitë e Mëdha parashtruan në memorandumin e 9 dhjetorit të vitit 1919. Dispozitat konkrete të mandatit dhe Statuti Themeltar i shtetit shqiptar do të përpunoheshin nga një komision i përbërë nga tre anëtarë, prej të cilëve njëri do të ishte përfaqësues i qeverisë së Romës, tjetri i Lidhjes së Kombeve dhe i treti do të ishte përfaqësues i shtetit shqiptar. Ky i fundit do të caktohej jo nga Shqipëria, nga institucionet e saj, por nga fuqitë kryesore fituese. Këto dispozita (të mandatit e të statutit) do të miratoheshin nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve, që u krijua në mbarim të Luftës I Botërore dhe me mision, mënjanimin e konflikteve të armatosura ndërmjet shteteve, si dhe ruajtjen e paqes në botë.
Një paraqitje e plotë dhe e detajuar i bëhet qëndrimit të tri fuqive kryesore të Konferencës për problemin tjetër edhe më të rëndësishëm, atë të cenimit të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar për të favorizuar më tej vendet fqinje, duke miratuar disa prej pretendimeve të tyre. Qëndrimet e tyre janë dhënë në mënyrë të diferencuar. Është veçuar qëndrimi i SHBA-së, që u kujdesën për moscopëtimin e mëtejshëm të krahinave të shtetit shqiptar, ndërsa përfaqësuesit e Britanisë së Madhe dhe më shumë të Francës, duke pasur kontradikta të thella me Italinë, qenë prirur nga ngushtimi i mëtejshëm i hapësirës gjeografike të shtetit shqiptar, mbi të cilin do të shtrihej mandati italian.
Duke i paraqitur në mënyrë kronologjike se si këto qëndrime evoluuan, është dhënë qartë edhe mekanizmi se si Shqipëria shpëtoi nga një copëtim tjetër i ri. Kjo paraqitje përbën një risi me vlerë të këtij studimi.
Politika e Fuqive të Mëdha ndaj kufijve të Shqipërisë është parë e lidhur dhe në kushtëzimet shumë më të gjera të politikës së tyre evropiane. Kjo është një arritje tjetër e këtij studimi. Një analizë e re dhe interesante i bëhet qëndrimit amerikan. Të ndodhur përpara qëllimeve të shteteve evropiane që shkelnin parimin etnik, përfaqësuesit e SHBA-së, të lirë nga detyrimet e Traktatit të Londrës, dolën kundër pretendimeve aneksioniste të qeverisë së Romës. Mirëpo, ndërkohë ata pranuan konceptin e “sigurimit” të Italisë në Adriatik dhe mbi këtë bazë pranuan shtrirjen territoriale të Italisë në disa pozicione strategjike përgjatë bregdetit.
Qëndrimi amerikan pra rezulton se ishte i dyzuar. Nga ana tjetër, SHBA i kushtuan vëmendje çështjes shqiptare, duke shqyrtuar edhe kërkesat territoriale të palës shqiptare. Në disa raste kreu i delegacionit amerikan u prononcua në të mirë të shqiptarëve. Autorët kanë arritur në konkluzionin e saktë shkencor se SHBA ishte e vetmja ndër vendimmarrësit e Konferencës së Paqes, që u interesua të mbeteshin në një farë mase territoret e caktuara Shqipërisë më 1913. Qëndrimi i SHBA u kristalizua hapur në muajt shkurt-mars të vitit 1920, në periudhën pas Konferencës kur Willsoni kundërshtoi me forcë planin anglo-franko-italian të 13-14 janarit të atij viti, që në thelb vinte në jetë Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, i cili e copëtonte keqas Shqipërinë dhe asgjësonte pavarësinë e saj.
Në studim janë dhënë edhe pasojat e Memorandumit të 9 dhjetorit 1919, i cili kishte ardhur si nevojë e bashkërendimit të qëndrimit për problemet e diskutueshme, midis përfaqësuesve të SHBA, të Britanisë së Madhe e të Francës. Është dhënë me realizim se ky memorandum nuk kënaqi as Romën, për shkak të zgjidhjes që i jepte çështjes së Fiumes, as Athinën, për rezervën që mbante ndaj të ardhmes së Korçës dhe zemëroi më shumë Beogradin, që e shikonte veten të përjashtuar nga ndarja e Shqipërisë dhe në pozita ushtarake mbrojtëse e të vështira në raport me Italinë.
Pakënaqësia e fqinjëve të Shqipërisë, sidomos Jugosllavisë, nxiti kryeministrat e Britanisë së Madhe e të Francës, Llojd Xhorxhi (D. Lloyd George) dhe G. Klemansoi (G. Clemanceau), në mungesë të përfaqësuesit të SHBA, arritën më 13 janar 1920 një kompromis me homologun italian, Nitti, sipas të cilit Shqipëria copëtohej midis tri shteteve fqinje, gati ashtu siç ishte parashikuar në Traktatin e Londrës të prillit 1915. Kjo ishte një zgjidhje ekstreme e çështjes shqiptare, e cila ra në konflikt të plotë me politikën amerikane dhe me parimet themelore të saj. Autorët e kanë shpjeguar me shumë kompetencë shkencore dhe me të gjitha detajet e nuancat reale këtë situatë, si dhe kanë analizuar pasojat e saj.
Qëndrimi i delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes është plotësuar ndjeshëm me argumente e analiza të reja. Arritje është fakti se të gjitha rrymat analizohen me gjakftohtësi dhe në një ekuilibër historiografik. Kjo analizë ndryshon nga trajtesat e kaluara që një palë shihej si krejt pozitive dhe pala tjetër si krejt negative. Janë pasqyruar në detaje rrymat e mendimit politik shqiptar në delegacionet shqiptare që shkuan në Paris. Qëndrimet e tyre janë analizuar me kompetencë shkencore dhe në bazë të argumenteve shumë të plota e interesante. Studimi bazohet si në burime të shumta dhe tepër të begatshme arkivore vendase dhe të huaja, ashtu dhe në një literaturë të gjerë historiografike shqiptare dhe të huaj, e vjetër dhe e ditëve të sotme. Duke u bazuar në këto arritje shkencore dhe në këto vlera akademike të këtij studimi, kam kënaqësinë që të rekomandoj botimin e tij nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Me këtë rast dëshiroj të shpreh respektin e thellë për kolegun tim që nuk jeton më Prof. Muin Çamin, i cili gjithë jetën, madje edhe në çastet e fundit të saj, nuk u tërhoq nga puna tepër skrupuloze shkencore, si dhe për punën serioze dhe me plot përkushtim që ka kryer kolegu im Akad. Assoc Marenglen Verli, për plotësimin, thellimin dhe redaktimin e këtij studimi.
Vendoset busti i Papa Françeskut në lulishten përballë Kambanës së Paqes
“Papa Françesku, një shembull frymëzimi për të gjithë”
Në trekëndëshin e gjelbërt përballë Kambanës së Paqes, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u përurua monumenti i Papa Françeskut, në kujtim të vizitës që ai zhvilloi në 21 shtator 2014 në Tiranë. Busti i tij u zbulua gjatë një ceremonie të posaçme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, me pjesëmarrjen e dhjetëra personaliteteve të tjera politike e fetare.
Në fjalën e tij në ceremoni, Presidenti Nishani vlerësoi lart figurën e Papa Françeskut dhe në mënyrë të veçantë përzgjedhjen, që ai i bëri Tiranës, si pikënisje e vizitave të tij në shtetet evropiane. “Jam edhe i emocionuar sepse sot, në cilësinë e kryetarit të Shtetit Shqiptar, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet e përjetësohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes, aq më tepër para ish- muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq të shembte kisha e xhami dhe të burgoste e vriste klerikë e besimtarë, të pafajshëm”, tha Nishani.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisi fjalën e tij me unanimitetin që treguan forcat politike të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në miratimin e vendimit për vendosjen e bustit, si shenjë e vlerësimit të figurës së Papa Françeskut. “Nuk e di nëse ka ndonjë vendim tjetër të Këshillit Bashkiak që të jetë marrë në mënyrë kaq unanime dhe aq pa hezitim sa vendimi për të nderuar, sado modestisht, Atin e Shenjtë përmes këtij gjesti. Përtej tensioneve, përplasjeve e sherreve që kemi për shumëçka, nuk mund të mos ishim në një mendje për një çështje si kjo”, u shpreh kryebashkiaku. Gjithashtu, Veliaj theksoi se ardhja e Papa Franceskut në Shqipëri ishte padyshim një moment i bukur për të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare, kjo pasi sipas tij, mesazhi që ai dha nuk lidhej ekskluzivisht me ndonjë besim fetar, por shkonte në zemër të filozofisë e moralit të secilit prej besimeve: mesazhi i vëllazërisë, harmonisë, bashkimit e solidaritetit.
“Ne shqiptarët kemi pasur e kemi një histori të vështirë. Por, asnjë nga këto vështirësi nuk i gjen rrënjët e saj te feja dhe besimi. Ajo që mund të ishte një arsye për t’u ndarë dhe për t’u përçarë, në Shqipëri ka rezultuar një faktor bashkimi. Me të drejtë, Ati i Shenjtë e quajti vëllazëri fetare. Një fjalë që ne s’e kishim përdorur kurrë për të përshkruar diçka që thjesht e marrim si të mirëqenë. Por, që në fakt është përshkrimi më i duhur i asaj çka kanë arritur të ndërtojnë të gjithë bashkë si shqiptarë, pavarësisht vështirësive”, tha Veliaj.
Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës e cilësoi Atin e Shenjtë si një njeri të rrallë që flet hapur, pa doreza, dhe godet m’u në zemër probleme si ekstremizmi e konflikti, por edhe në mesazhet sociale që ai përcjell, si varfëria, pabarazia dhe nevoja për solidaritet. Mesazhe që, sipas Veliajt, janë në fokus edhe të punës së përditshme të bashkisë që ai drejton, duke mbështetur më shumë politikat për më të pamundurit e qytetit.
Në këtë ceremoni përshëndeti edhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili theksoi se vizita e Papa Françeskut, gati dy vite më parë, bëri të mundur që harmonia jonë fetare të njihej nga e gjithë bota. Ndërkohë, Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, pasi falënderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe nderimin e Papa Françeskut, theksoi se Shqipëria është shembull se bashkëjetesa paqësore mes besimtarëve e bashkësive të ndryshme fetare, është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe konkretisht e mundshme dhe e realizueshme.
Busti është vepër e autorit Qazim Arifi. Me vendosjen e këtij busti në këto mjedise krijohet një memorial në vlerësim të personaliteteve të shquara të Vatikanit, siç është Papa Gjon Pali II, që është bekuesi i simbolit të Kambanës së Paqes dhe Papa Françeskut për vlerat e sipërmendura.
“Propozime të pazakonta” nga Molly Kleiman
Si të artikulojmë dhe pasurojmë marrëdhënien mes të shkruarit kod dhe të lexuarit prozë, mes ekraneve digjitale dhe faqeve të printuara, mes medieve sociale dhe hapësirave publike? Molly Kleiman do të prezantojë të shtunën, ora 180.30 në Qendrën Multimediale TEN punën e “Triple Canopy”, një revistë që ofron një qasje hibride ndaj publikimit, ku përfshihen punë digjitale arti dhe letërsie, ngjarje publike, ekspozita, dhe libra. Kleiman do të pasqyrojë një histori, metoda kolaborative pune, si dhe projekte editoriale të ardhshme të revistës. Ajo do të flasë gjithashtu për Common Practice, një grup i ri përkrahjeje i bashkëthemeluar nga “Triple Canopy” dhe gjashtë organizata të tjera arti nga New York, grup që kërkon të adresojë sfidat unike me të cilat përballen organizatat e vogla dhe të pavarura të artit.
Ky prezantim dhe diskutim mbahet në kuadër të Simpoziumit të Gjashtë Ndërkombëtar të YVAA (Çmimeve për Artistë Vizualë në Moshë të Re) në Tiranë.
Molly Kleiman është zv. editore e “Tripple Canopy”, revistë që avancon një model publikimi që përfshin punë digjitale arti dhe letërsie, biseda publike, ekspozita, dhe libra. Ajo është bashkëdrejtuese e “The Back Room”, projekt kuratorial dhe pedagogjik që ndihmon shkëmbimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ajo ka zhvilluar gjithashtu programe arti dhe letërsie në Evropën Lindore dhe Meksikë. Ajo është pedagoge me kohë të pjesshme në New York University, dhe është ftuar të japë leksione në MIT, The New School, The School of Visual Arts, Temple University, UC Santa Barbara, UCLA ndër të tjerë syresh.
No comments:
Post a Comment