Wednesday, March 16, 2016

Shtatë këshillat e Nanos

Fatos Nano përshëndeti sot takimin e djeshëm mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Ramës. Siç bën të ditur “Lëvizja Nano President”, takime të tilla duhet te jenë normalitet dhe pjesë e një kulture dhe sjelljeje natyrale, të vetvetishme për liderët politikë shqiptarë.
Sipas kësaj Lëvizje, Nano thekson se nëse bëhet ai President, ai si kryetar shteti do mbledhë në takime rutine liderin e opozitës dhe kreun e qeverisë.
Edhe pse përshëndeti takimin mes Ramës dhe Berishës, sipas Fatos Nanos ky takim nuk prodhoi asnjë emër presidenti duke çuar kështu në djegien e raundit të II-të të votimit të presidentit në Parlament.
Për të mos humbur shansin e tretë në Raundin e tretë të votimit për President, e kësisoj për të mos rrezikuar edhe shansin e tretë të Shqipërisë për të marrë statusin kandidat në BE vjeshtën që vjen, Nano jep disa këshilla. Shtatë sugjerimet e tij për Berishën e Ramën janë:
“1. Të jenë këmbëngulës dhe mirëbesues për takime e negociata të vazhdueshme parimore, transparente e qëllimlarta me njëri-tjetrin e të tjerët, për të mbërritur në produktin më të mirë, duke zgjedhur Presidentin më të mirë për shqiptarët.
2. Të mos funksionojnë agjendat politike partiake, të mos lejojnë lojërat meskine për pushtet, planet e projektet për ekuilibra të politikës së ditës qeverisëse apo opozitare, apo në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013, të errësojnë rëndësinë parësore që ka zgjedhja e Presidentit të Republikës, si hap i parë për të vazhduar me përmbushjen e të gjitha reformave të cilat do të bëjnë të mundur që Shqipëria ta meritojë Statusin Kandidat në BE. Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të bëhet garant i kushtetutës, garant i përmbushjes së të gjitha reformave, si edhe garant e i përkushtuar që, të gjithë së bashku. Presidenti dhe liderët politikë të angazhohen plotësisht që në vitin 2013 në Shqipëri të organizohen zgjedhjet e para themeluese të lira, të ndershme e te pakontestuara, si shprehje e vullnetit, kulturës politike dhe standardeve më të mira evropiane.
3. Të mos fetishizohet konsensusi, sikurse u fetishizua derimë sot procesi. President republike nuk do të zgjidhet as konsensusi, e as procesi. President republike do të zgjidhet emri dhe personi konkret. Konsensusi nuk duhet të jetë një fjalë e pakuptueshme për shqiptarët, të cilën e dinë vetëm kryetarët. Konsensusi nuk duhet të bëhet lojë e kryetarëve për të fshehur apo ushqyer agjendat meskine të lojërave për pushtet. Konsensusi kërkohet të bëhet një fjalë e thjeshtë, e lexuar dhe e kuptuar lehtë e parimisht nga të gjithë shqiptarët. Konsensusi për shqiptarët duhet të jetë: një proces mirëbesimi dhe mirëkuptimi për bashkërendim e bashkëvendosje nga të gjitha palët politike të përfaqësuara në Kuvend. Konsensusi nuk duhet të arrihet për hir të konsensusit e në dëm të produktit, pra të cilësisë së zgjedhjes së Presidentit. Të mos përdoret fjala konsensus si alibi për të përmbushur profecinë e shqiptarit të mençur e të madh Arbën Xhaferri kur ka paralajmëruar disa ditë më parë se ‘…ata që kanë ndikim, kërkojnë të kundërtën: një president-pulë, që nuk e turbullon ujin…’! Konsensusi duhet të sjellë një President si simbol të unitetit kombëtar të shqiptarëve, e jo si simbol të unitetit të kryetarëve. Konsensusi kërkohet të sjellë një President mbi palët, të pandikueshëm, të patrysnueshëm, e të pajoshshëm nga palët apo pushtetet e palëve. Kërkohet një President që të përbashkojë interesat dhe të përfaqësojë unitetin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, ashtu sikurse edhe interesat, nevojat e strategjitë e partnerëve euroatlantikë. Kërkohet një President që t’ju dalë për zot institucioneve të pavarura, si edhe me një shpirt prej sipërmarrësi politik, negociator i sprovuar dhe komunikator i drejtë, i aftë për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në të gjitha tryezat dhe partneritetet euroatlantike.
4. Konsensusi, pra procesi i mirëbesimit, mirëkuptimit për bashkërendim dhe bashkëvendosje, ndërsa synon daljen me një kandidat të bashkëvotuar dhe gjithëpranuar nga të gjitha palët, nuk ka pse të përjashtojë mundësinë e një dakordësimi që në pamundësi të marrëveshjes për një kandidat të përbashkët, të lejohet me njëmendësim dhe vullnet mirëbesues një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend, gjë që do të sjellë që nga konkurrimi i kandidatëve më të mirë të fitojë ai që merr besimin e shumicës së vullneteve të lira të deputetëve. Një kandidat i përbashkët dhe i bashkëvotuar do të dëshmonte pjekurinë e klasës politike shqiptare, por edhe dakordësimi e mirëbesimi për një garë të lirë e të ndershme do të dëshmonte pjekurinë e demokracisë shqiptare. Fatos Nano është i gatshëm për të dyja mundësitë. Fatos Nano e sheh veten si inkurajues dhe ndërtues i një Aleance të Madhe të Mirëbesimit.
5. Fatos Nano, ndonëse i lënduar dhe mos aprovues nga ngurrimi i Edi Ramës për ta mbështetur politikisht dhe me firma deri tani emrin e tij në mundësinë për të kandiduar për President, shprehet mirëbesues deri në përfundim të procesit dhe e inkurajon Edi Ramën që të jetë vijë e hapur komunikimi, këshillimi dhe ndërshkëmbimi idesh dhe opinionesh me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në procesin e zgjedhjes së Presidentit, qoftë me ata që janë të thirrur për të marrë vendime, qoftë me ata që kanë shpallur ambicien dhe përgjegjshmërinë për të konkurruar për detyrën e Kreut të Shtetit. Fatos Nano e fton Edi Ramen që të mos i shmanget garës dhe konkurrimit me mazhorancën, me emra dhe vlera më të mira e më përfaqësuese, si edhe e këshillon që të mos e përjetojë të qenurit në pakicë si gjendje mentale dhe psikologjike pamundësie, por si gjendje politike shansesh dhe mundësie për kontrubite dhe rritje. Pakicat nuk duhet tu shmangen kurrë garave e konkurrimeve. Pakicat rriten vetëm nëpërmjet konkurrimit dhe garave.
6. Njëkohësisht Fatos Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë tek Fatos Nano një instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në krye të Qeverisë, një protagonist për shkak të rolit dhe modelit politik që ka përfaqësuar, duke iu dedikuar të përbashkëtës. Fatos Nano prej vitesh nuk konkurron e as bën pjesë më në jetën aktive dhe të politikës së ditës nën ndonjë sigël partie. Fatos Nano është i vetofruar për të shërbyer bazuar në të gjitha dijenitë, përvojën, dijet, kapacitetet e tij si politikan parësor, por mbi të gjitha si shërbëtor publik e shtetar. Fatos Nano është gjithashtu i ndërgjegjësuar dhe ndjen përgjegjshmërinë se një klasë politike që nuk jep dot produkte apo jep produkte të këqija për popullin e saj, meriton të konkurrohet.
7. Fatos Nano shfrytëzon rastin për të falënderuar dhe shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për misionin e tyre mjaft të çmuar dhe qëllimmirë ndaj Shqipërisë, tejkalimit te krizës e ngërçit politik, inkurajimin e zhvillimeve pozitive në Shqipëri, si edhe për përparimin e agjendës së integrimit në BE. Fatos Nano shpreson e uron që klasa politike shqiptare do të dëshmojë maturi të mjaftueshme që në respekt të kujdesit dhe ndihmës së vyer të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE Etore Sekui dhe Ambasadorit të OSBE Eugen Volfarth, të arrijë marrëveshjen e shumëpritur për ta mikpritur me meritë dhe pjekuri të dërguarin e Komisionerit Stefan Fule, Stefano Sanino i cili vjen në Shqipëri më datën 7 qershor”.

No comments:

Post a Comment