Sunday, March 20, 2016

Idrizi Ultimatum Bushatit: Nesër në Athinë ngri çështjen çame

id

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i ka kërkuar ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, të trajtojë në bisedimet me homologun grek edhe çështjen çame.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Idrizi tha se ligji e ngarkon ministrin ta trajtojë këtë çështje gjerësisht, pa tabu, pa tërheqje dhe publikisht.

“Ne vlerësojmë pozitivisht këtë vizitë të munguar në kohë. Ne vlerësojmë që vizita të tilla duhet të jenë sa më të shpeshta me një vend fqinj, që na lidh jo vetëm kufiri gjeografik, por dhe një histori e përbashkët, ku dy popujt tanë kanë qenë të destinuar të bashkëjetojnë, në ditë të mira dhe të këqija. Fqinjësia e mirë dhe historia e dy popujve tanë me gjithë dritë–hijet e saj, na obligon që problematikat e mbartura nga historia dhe sfidat e së ardhmes, të kemi vetëm një rruge për t’i zgjidhur e përballuar: Dialogu, ballafaqimi i problemeve, trajtimi i tyre me seriozitet, reciprocitet dhe vullnet të mirë.
Krahas axhendës diplomatike për heqjen e ligjit të luftës, rinegocimin e marrëveshjes së Ujërave apo marrëveshjes së kufijve tokësorë, marrëveshjes për sigurimet shoqërore për emigrantët shqiptare që punojnë në Greqi, hapjes së shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve në Greqi etj. Ju drejtohem për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, që është edhe në programin e qeverisë suaj. Rezoluta e datës 8.4.2004 e Kuvendit të Shqipërisë për çështjen çame ju ngarkon që ta trajtoni gjerësisht, pa tabu, pa tërheqje dhe publikisht ështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Ky është një detyrim ligjor, që duhet t’ju udhëheqë në bisedimet në Athinë. Sikurse, qenia e 300 mijë shtetasve shqiptarë me prejardhje nga Çamëria Ju detyron t’i përfaqësoni në bisedimet me palën greke”, tha ai.

Idirzi i kërkoi gjithashtu Bushatit trajtimin e çështjes së ngritjes së varrezave të shqiptarëve çamë, që të mbrojë dinjitetin kombëtar e vlerat evropiane.

Kreu i PDIU-së nuk e kurseu as ironinë kur i thotë se shpreson të kthehet në Tiranë si Ditmir e jo si Dhimitër.

“Zoti Ministër, po ju kujtoj që të ngrini me palën greke kërkesën e kahershme të Shoqatës Çamëria, për ngritjen e Varrezave të Shqiptarëve çamë, të vrarë masivisht në Çamëri, për të cilët ne disponojmë dhe hartat e vendosjes së tyre. Kjo kërkesë duhet vlerësuar si humane, për çdo njeri që lë këtë botë, por dhe si reciprocitet të kërkesës së palës greke për ngritjen e 4 varrezave të tjera të ushtarëve greke të vrarë në Shqipëri, përveç 2 varreza që tashmë janë ngritur. Zoti Ministër, Ju kujtoj faktin së në hollin e Ministrisë së Jashtme Greke ku ju do të mbani konferencën Tuaj për shtyp me homologun grek është zhvilluar një konferencë për çështjen çame. Kjo është një arsye më shumë që t’ju ftoj të thoni të vërtetën e pakundërshtueshme, të shqiptarëve të Çamërisë, të kombit tonë, timin, tuajin! Sepse e vërteta tremb vetëm ata që janë në anën e gabuar. Ju ftoj që të mbroni dinjitetin kombëtar dhe parimet e vlerat evropiane, në takimin tuaj në Athinë dhe jam besimplotë se do të ktheheni në Tiranë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me emrin Ditmir e jo si Dhimitër.”

No comments:

Post a Comment