Tuesday, March 22, 2016

Masa e sigurisë, hije skandali me shkresën e prokurorisë



Ndodh edhe kështu; pakujdesi, harresë apo edhe një ngatërresë e pakuptimtë, e dëmshme dhe pse jo edhe manipuluese. Një shkresë prokurorie, që mban firmën e kreut të prokurorisë së Tiranës është publikuar ditën e djeshme, ndërsa i është kërkuar prokurores, apo e ka bërë vetë prokurorja që të ndryshohet masa e sigurisë për një të ndaluar për vjedhje sendesh me vlerë nëpër makinat e qytetarëve duke përdorur një pult.

Mirëpo, ndërsa Prokuroria e Policia vijojnë të jenë në kundërshti faktesh e provash në lidhje me të ndaluarit e bluve, shkresa me një shënim mbi masën e sigurimit “arrest me burg” për vjedhësin, Deivis Muka, ka bërë që të hidhen hije dyshimi të shumëllojshme në lidhje me këtë akt. Referuar të dhënave nga akuza qendrore mësohet se gjithçka ka ndodhur nga një pakujdesi e prokurores së çështjes e cila ka hetuar vjedhjen që ka referuar policia e Tiranës për çiftin e të dashuruarve nga Kamza, të cilët sipas policisë kanë vjedhur jo pak, por të paktën 9 mjete. Djali, i cili falë prokurorisë dhe hetimit intensiv që ka bërë prokurorja Elina Kombi, ka mundur të fitojë lirinë dhe madje t`u tregojë gjykatës dhe shqiptarëve se ai ishte djalë drejtori në ministri dhe nuk kishte nevojë të vidhte, ndonëse është vërtetuar se ka vjedhur.

Policia e Shtetit nuk ka reaguar fare për dy ditë me radhë në lidhje me lirinë e dy të rinjve që u arrestuan për vjedhje, ndërsa Prokuroria e Tiranës bëri me dije se policia nuk ka asnjë lloj prove që të implikojë  të rinjtë në ngjarje të tjera. Muka është vërtetuar se i ka vjedhur sendet në mjetin e shtetasit Leonard Luzi, ndërsa e dashura e tij nuk ka qenë fare e pranishme në akt. E njëjta gjë është pranuar edhe prej dy protagonistëve që janë hetuar, ndërsa sipas prokurorisë të rinjtë nuk e posedonin fare atë pultin që pretendon policia. Rasti i vjedhjes në mjetin e Luzit, ka ndodhur pasi ai kishte lënë mjetin hapur, thotë hetimi, ndërsa tashmë historia e arrestimit, lirimit dhe të fshirjes së masës së sigurisë brenda një shkrese zyrtare dhe të firmosur nga një kryeprokuror, duket se janë kthyer në një lojë mes institucionesh.

Lirimi në gjykatë 

Të dyshuarit Deivis Muka dhe Matilda Mertini, të akuzuar për “vjedhje”, u liruan nga Gjykata, me kërkesë të prokurorisë, duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje”. Këtë masë sigurie, mësohet se e ka kërkuar prokurorja e çështjes, Elina Kombi, pas udhëzimit të drejtuesit të prokurorisë së kryeqyteti, ku shikohet se është firmosur edhe shkresa me firmën e titullarit të këtij institucioni. Në kërkesën për lirim, të shpërndarë ditën e djeshme për mediat, mësohet se ka qenë “faji” i Policisë së Shtetit që nuk ka dërguar prova të tjera, që implikojnë dy të dyshuarit në vjedhjen e disa makinave, siç ka raportuar Policia e Shtetit në komunikatën që njoftoi për arrestimin e tyre. Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, rezulton se dy të dyshuarit Muka dhe Mertini kanë kryer vetëm vjedhjen e sendeve personale në një makinë të parkuar në një qendër tregtare.

Aty, të dyshuarit kanë vjedhur 4 parfume të markave të ndryshme, një orë “Rolex”, një palë syze dhe 260 euro që ndodheshin në mjetin “Benz”. Pas vjedhjes ata janë larguar me mjetin e tyre “Smart”, ku gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë. Ajo që bie në sy, në dosjen e Deivis Mukës është fakti se fillimisht për këtë të dyshuar, prokuroria ka vendosur të kërkoi nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Por, pas dorëzimit të kërkesës në gjykatën e Tiranës, ky qëndrim ka ndryshuar duke ndërhyrë me korrektues, siç duket edhe në pamje, ku nga “arresti me burg” është shkruar me shkrim dore, në “detyrim për paraqitjeje”. Pavarësisht ndërhyrjeve me korrektues, prokurorja ka harruar të rregullojë të gjithë kërkesën, duke lënë në një vend që masa e përshtatshme është ajo e “arrestit me burg”. Bazuar në kërkesën e prokurorisë, gjykata ka urdhëruar lirimin e tyre nga qelia, duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje” çdo të hënë pranë oficerëve të policisë gjyqësore.

Puna e prokurorisë 

“Nga hetimet paraprake të procedimit penal të mësipërm që bën fjalë për veprën penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim provohet se shtetasja Matilda Mertini e ka kryer në këto rrethana: Më 13.03.2016 është paraqitur dhe ka bërë kallëzim në komisariatin e Policisë së Vorës shtetasi Leonard Luzi, i cili ka kallëzuar se atë ditë pasi ka parkuar makinën në shesh parkimin e qendrës tregtare “City Park” kur është kthyer pas një ore ka vënë re se i ishin vjedhur sendet brenda në mjetin e tij si; katër parfume të markave të ndryshme, një orë “Rolex”, një palë syze “Rayban” si dhe 260 euro, të cilat i kishte në kroskotin e mjetit të tij.

Pasi është marrë kallëzimi është shkuar në vendin e ngjarjes ku janë marrë pamjet filmike të ambienteve të parkimit dhe pas këqyrjes së tyre është konstatuar se autorë të vjedhjes ishin dy persona që kishin ardhur me mjetin “Smart”, ngjyrë të bardhë në orën 11:40 , pasi kishin dalë nga mjeti ishin një djalë dhe një vajzë. Djali është afruar me parë tek një mjet tjetër dhe ka kontrolluar atë për ta vjedhur. Më pas ka shkuar tek mjeti i kallëzuesit duke vjedhur sendet. Vajza e ka ndjekur me sy, me sa duket nga kamera, por veprimet e vjedhjes i ka kryer djali pasi është kryer verifikimi i targave ka rezultuar se mjeti tip “Smart” ishte në pronësinë e Matilda Mertinit ndërsa personi tjetër ishte Deivis Muka. Pasi janë shoqëruar, shtetasit e lartpërmendur, Deivis Muka e ka pranuar autorësinë e vjedhjes ndërsa Matilda ka shpjeguar se nuk ishte në dijeni të veprimeve të kryera nga miku i saj”.

Argumentimi i masës nga prokurorja 

Për sa i përket caktimit të masës së sigurimit ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore. Kështu ekziston një dyshim i arsyeshme e i bazuar në prova se i ndaluari Deivis Muk a ka kryer veprën penale të vjedhjes. Organi i hetimit e mbështet dyshimin në provat që do t`i bashkëngjiten kërkesave. Gjykata, në caktimin e llojit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ndaj të arrestuarës, të ketë parasysh kriteret ligjore të caktimit të masës që janë:-përshtatshmëria e masës së sigurimit me nevojën e sigurimit.

-ruajtjen e një raporti të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit

- rrethanat e kryerjes së veprës penale.

Gjithashtu në respektim të nenit 230 të K.Pr.Penale, duke vlerësuar shkallën relativisht të lartë të rrezikshmërisë që paraqet vepra penale e mësipërme për rrezikshmërinë e të dyshuarës, Matilda Mertini arrihet në përfundimin se masa e sigurimit detyrim për tu paraqitur më Policinë Gjyqësore, do të ishte një masë sigurimi personal plotësisht e përshtatshme. Për këto arsye kërkoj: Shqyrtimin për vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit ndaj  Matilda Mertinit, vendosjen e masës së sigurisë detyrim për tu paraqitur”. Po ashtu, me masë të fshirë, detyrim paraqitje u la në fuqi edhe për Deivis Mukën, ndonëse ky provohet se vodhi në mjetin e Luzit.

No comments:

Post a Comment