Mbrëmja e djeshme në Tiranë ka qenë aksion si nëpër filma. Një person ka vjedhur te Tatimet një makinë të tipit fouristradë dhe ka ecur me shpejtësi të madhe në rrugicat e lagjes. Grabitësit i është vënë pas një automjet, të cilin e ka aksidentuar.
Më pas përballë makinës së vjedhur, ka dalë një makinë policie, por grabitësi e ka përplasur edhe atë, megjithëse i është bërë me shenjë nga efektivët që të ndalonte. Nga shpejtësia e madhe dhe përplasjet, grabitësi ka humbur kontrollin e makinës dhe ka përfunduar në dyert e një marketi tek kryqëzimi i Komunës së Parisit.
Pak minuta pas ngjarjes policia ka vënë në pranga hajdutin e automjetit i identifikuar si Dritan Tufa, i cili u largua nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit.
Komunikata e Policisë
Më datë 14.03.2016, rreth orës 20:15, në rrugën e “Kavajës”, mjeti tip “Hyndai”, në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, është konstatuar duke lëvizur me shpejtësi të lartë nga një patrullë Policie e ndodhur në një vendngjarje, e cila është vënë menjëherë në ndjekje. Mjeti ka ndryshuar korsinë e lëvizjes dhe nga shpejtësia tej normave, ka humbur kontrollin duke përplasur katër mjete, ndër to mjetin e Policisë që po e ndiqte. Humbja e kontrollit ka bërë që të përplaset me murin e një supermarketi dhe për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi B.H., 62 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po i jepet ndihma në QSUT.
Më pas drejtuesi i mjetit ka dalë nga makina duke u larguar me vrap. Ky automjet dyshohet të jetë vjedhur me thyerje (pasi është konstatuar xhami anësor i thyer) rreth 20 minuta përpara ngjarjes. Përdoruesi i autorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, shtetasi Sh.Ç., ishte paraqitur në Komisariatin Nr. 6 për të bërë kallëzim për mjetin e vjedhur. Menjëherë shërbimet policore kanë arritur të identifikojnë dhe më pas shoqërojnë shtetasin Dritan Tufa, 35 vjeç, si autor i dyshuar i ngjarjes.
No comments:
Post a Comment