
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka akuzuar ashpër gjyqtarët dhe Unionin e tyre, që iu del në krah, duke i cilësuar si armiq më të mëdhenjtë të Policisë së Shtetit duke liruar kriminelët: “Armiku ynë më i madh, përveç atij që është në rrugë, – i mëshoi fjalës Tahiri, – është dhe ai që fshihet pas çekiçit dhe që rreh çekiçin, i korruptuar, për të liruar atë që arreston policia.” Ministri theksoi se kjo është arsyeja që reforma në drejtësi kërkohet aq shumë ndaj u bëri thirrje, gjyqtarëve dhe Unionit të tyre në veçanti, që “pavarësinë, respektin e shoqërisë të mos e kërkojnë me deklarata, ku i dalin në mbrojtje njeri-tjetrit dhe kur janë gabim, por ta fitojnë duke shërbyer me dinjitet, ndershmëri dhe drejtësi, për çdo qytetar.” Tahiri foli në ceremoninë e testimit të 5 mijë aplikantëve për në Akademinë e Policisë, mbajtur në Pallatin e Kongreseve dhe ku ishte i pranishëm dhe kreu i Qeverisë, Edi Rama. Ministri tha: “Edhe unë vetë nuk e mendoja se brenda pak më shumë se dy viteve do të kishim më shumë se 2 mijë punonjës policie të ndëshkuar në rrugë disiplinore dhe penale për mosrespektim të ligjit dhe mosushtrim të detyrës. Kjo është në fakt, policia që gjetëm po nuk është policia që duam. Ka edhe sot, punonjës policie që bëjnë gabime dhe ne jemi të gatshëm të marrim çdo masë, por ka dhe një shumicë dërrmuese që respekton ligjin dhe I shërben qytetarit me devotshmëri. Ashtu siç ka dhe punonjës policie që me të drejtë ndihen të dekurajuar kur shohin sesi ata që shkelin ligjin dhe arrestohen njëherë nga policia, dalin përsëri nga burgu, shpeshherë brenda fare pak kohësh e nuk mbajnë përgjegjësi para ligjit. Drejtësia e pabarabartë është më keq se të mos kesh drejtësi hiç. Shumë njërëz në Shqipëri kanë mbërritur të mendojnë kështu. Para pak ditësh denoncova një gjyqtar në Vlorë që kishte nxjerrë nga burgu nëj person që nga policia ishte arrestuar me armë në brez. Aq merak e kishte ky gjyqtar lirimin e këtij personi, sa dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e ka bërë motiv për ta liruar, e ka zbatuar dy ditë para se të hynte në fuqi. Pashë që reagoi dhe një Union i Gjyqtarëve. Dhe në fakt po pyesja veten: Mirë gjyqtari, se mbase ka hallet e veta, po këta të Unionit që i dolën në mbrojtje, a kanë kalendar? Përtej kësaj, unë respektoj çdo qytetar të ndershëm, çdo union që mbron interesat më të larta të publikut, por as do të respektoj dhe as do të ndaloj së denoncuari publikisht çdo gjyqtar të korruptuar dhe çdo koorporatë kriminale që bëjnë gjyqtarët me njeri-tjetrin në kurriz të qytetarëve. Gjyqtarë e Union Gjyqtarësh, pavarësinë, respektin e shoqërisë të mos e kërkojnë me deklarata, ku i dalin në mbrojtje njeri-tjetrit dhe kur janë gabim, por ta fitojnë duke shërbyer me dinjitet, ndershmëri dhe drejtësi, për çdo qytetar. Unë i jap të drejtë çdonjërit prej jush që mendon se është punë e vështirë kjo e policisë, akoma më e vështirë kur duhet të luftosh dy herë: Njëherë me krimin në rrugë dhe njëherë me gjyqtarin që liron, kriminelin që arreston policia. Por nuk ka asnjë motiv për t’u dekurajuar. Kjo është një betejë që ne mund ta fitojmë.”
No comments:
Post a Comment